William Wallace

Përkufizimi

Mark Cartwright
nga , përkthyer nga Erion Treska
publikuar në 19 April 2021
translations icon
Në dispozicion në gjuhë të tjera: anglisht, Afrikaans, frëngjisht, Serbisht, spanjoll
Sir William Wallace (by Kjetil Bjørnsrud, CC BY-SA)
Sir William Wallace
Kjetil Bjørnsrud (CC BY-SA)

Sir William Wallace (l. 1270 - 1305) ishte një pjesëtar i urdhërit kalorsiak Skocez dhe hero kombëtar i cili luftoi për pavarësinë e vendit të tij nga Anglia. Wallace, udhëhoqi Skocezët në fitoren e Betejës së Urës së Stirling ndaj një ushtrie shumë më të madhe e më të pregatitur Angleze në Shtator të vitit 1297.

Mbreti Anglez, Edward-i I-rë (m. 1272 - 1307) ishte i vendosur për të marrë hak dhe për të pushtuar Skocinë, por fitorja e tij në Betejën e Falkirk përkundrejt Wallace në vitin 1298, nuk ishte e mjaftueshme për ti nënshtuar Skocezët. Wallace, u kap në Glasgow dhe u gjykua për tradhëti në Londër në vitin 1305. I gjetur me padyshim fajtor, Wallace-it ju dha dënimi më i keq i mundshëm: me varje, tërheqje dhe copëtim. William Wallace më pas u shndërrua në martir dhe patrioti heroik më i madh, dhe heroi i shumë legjendave, baladave dhe poemave. Megjithëse ai nuk ishte gjallë për ta shijuar, Skocia fitoi gjithsesi pavarësinë e saj nën sundimin e Robert the Bruce (m. 1306 - 1329).

Hiq Reklamat
Advertisement

Jeta e Hershme

William Wallace lindi në vitin 1270 në një familje që zotëronte prona në jugperëndim të Skocisë. Babai i tij ishte një kalorës, zyrtar i një rangu të ulët dhe vasal i James Stewart, Kujdestarit të Lartë të 5-të të Skocisë. Legjenda thotë se Wallace lindi në Elderslie afër Paisley në Renfrewshire ose Elderslie në Ayrshire. Wallace, është portretizuar gjithmonë si një njeri i zakonshëm nga burimet mesjetare të mëvonshme, madje edhe si një hajdut ose i jashtëligjshëm në biografi të shkruara pas vdekjes së tij, por këto janë, me shumë mundësi, pasi shkrimtarët Skocezë donin ta paraqisnin si 'njeri të popullit', ndërsa ata Anglezë si një armik pa dinjitet. Teknikisht, në sytë e Anglezëve, Wallace ishte një njeri i jashtëligjshëm, sepse familja e tij nuk kishte shënuar emrin në 'Ragman Rolls', një listë e krijuar në vitin 1296 me emrat e të gjithë Skocezëve që kishin premtuar aleancë ndaj Kurorës Angleze. Me aq informacion sa është i disponueshëm, William Wallace nuk u martua asnjeherë dhe nuk pati femijë.

Edward I-rë dhe Çështja e Madhe

sulmi i pare i rendesishem i william wallace ishte ne lanark, skoci ne maj 1297, ku mbeti i vrare sherifi anglez.

Edward-i I-rë i Anglisë, i njohur për gjaknxehtësinë e tij dhe vetëbesimin e lartë, njihej si 'Longshanks' për arsye te gjatësisë së tij: 1.90 metra (6 ft 2 in), një staturë shumë e madhe për kohën. Mbreti Anglez ishte një veteran luftërash tashmë. Ai kishte marrë pjesë në Kryqëzatën e Nëntë (1271 - 1272), kishte dhënë një ndihmesë në mposhtjen e baronëve Anglezë të cilët kishin komplotuar kundër babait të tij dhe kishte bërë fushata ushtarake të suksesshme në Uells. Tani Edward-i e ktheu vështrimin e tij nga Skocia. Një parapregatitje për sulmin ushtarak ishte vendimi i Edward-it në vitin 1287 për të dëbuar të gjithë Çifutët nga mbretëria e tij dhe konfiskuar tokat dhe pronat e tyre - të ardhura kolosale për tu shpenzuar në luftë. Më pas, drejt fundit të vitit 1290, një mundësi e artë ju paraqit mbretit Anglez: kriza e trashëgimisë në Skoci.

Hiq Reklamat
Advertisement

King Edward I of England
Mbreti Edward I-rë i Anglisë
National Portrait Gallery (CC BY-NC-ND)

Edward-i u ftua të vlerësonte se cili do të ishte pasardhësi i Alexander-it III-të të Skocisë (m. 1249 - 1286). Alexander-i nuk kishte pasardhës, dhe në këtë mënyrë froni i kalonte mbesës së tij Margaret, e njohur si 'Zonja e Norvegjisë' (l. 1283). Por Margareta, humbi jetën tragjikisht gjatë udhëtimit të saj për në Skoci në Shtator të vitit 1290. Shtëpia mbretërore Canmore po vinte drejt fundit, dhe lordët Skocezë filluan të reagonin për të marrë fronin mbretëror. Në pamundësi për të marrë një vendim, Edward-it ju kërkua të zgjidhte kanditatin më të mirë, por në Nëntor të vitit 1292 Mbreti Anglez thjesht zgjodhi dikë që do të shërbente si kukulla e tij në Skoci: John Balliol (m. 1292 - 1296). Sundimi i Balliol-it ishte aq i dobët dhe jo efiçent saqë lordët Skocezë filluan të mblidheshin rreth familjes Bruce si një alternativë qeverisëse, në atë kohë e drejtuar nga Robert Bruce (l. 1210), gjyshi i mbretit të ardhshëm të Skocisë.

Balada jeta & vepra e sir william wallace, kalores i elderslie, ishte frymezimi per filmin braveheart, i vitit 1995.

Kryengritjet ishin duke nisur, jo vetëm për sa i përket paaftësisë së John-it, por edhe nga vendosja e taksave të larta për Skocezët nga Edward-i, për të financuar fushatat e tij në Francë, ku Gaskonja ishte nën nje kërcënim serioz. Por në vitin 1295 planet e Edward-it u lëkundën disi në momentin kur Skocia vendosi të krijonte një aleancë me Francën - lëvizja e parë në atë qe u njoh si 'Aleanca Auld' - dhe Balliol u ndje mjaftueshëm i sigurtë në vetvete për të hequr dorë nga mbështetja për Edward-in. Familja rivale Bruce, nuk mbështeti as kryengritjet dhe as këtë lëvizje të John Balliol ndaj mbretit Anglez.

Hiq Reklamat
Advertisement

Për të forcuar pozitat e tij në Skoci, Edward-i udhëhoqi personalisht një ushtri në Berwick në Mars të vitit 1296, ku, sipas kronikanit të shekullit të 14-të Walter of Guisborough, 11.060 banorë të qytezës u masakruan. Edward-it i pëlqente mbështetja e Bruce-ve, dhe në Betejën e Dunbar në Prill të vitit 1296, Balliol-i u mund; Mbreti Skocez u dorëzua, ju hoqën të gjithë titujt dhe u mbajt si i burgosur në Kullën e Londrës. Tre baronë Anglezë u përzgjodhën për të sunduar Skocinë, dhe Edward-i madje vodhi edhe Gurin e Scone (i njohur si Guri i Fatit) i cili ishte simboli i monarkisë Skoceze, duke e transferuar atë në Abacinë Westminster. Në fakt, monarkia Skoceze ishte drejt fundit, të paktën në sytë e Edward-it. Ishte pikërisht në këtë kohë kaotike lufte, kryengritjesh dhe pa një mbret në fron, momenti kur William Wallace shfaqet për herë të parë.

Sir William Wallace
Sir William Wallace
The British Museum (Copyright)

Fushatat e Hershme

Sulmi i parë i njohur i Wallace ishte në Lanark, Skoci në Maj të vitit 1297 ku ai sulmoi me një grup prej rreth 30 personash. Në legjendat e mëvonshme, thuhet se ky sulm ishte si hakmarrje për goditjet ndaj të fejuarës së tij Marion dhe vrasjen e një grupi lordësh Skocezë nga ushtaraket Anglezë. Sherifi Anglez i Lanark-ut William Heselrig ishte midis të vrarëve në këtë sulm. Ky sulm, u ndoq nga disa të tjerë më të suksesshëm në Scone dhe ndaj garnizoneve Angleze midis lumenjve Forth dhe Tay, derisa Wallace u tërhoq bashkë me luftëtarët e tij në sigurinë e maleve Skoceze.

Bejeta e Urës së Stirling

Triumfi më i madh i William Wallace ishte shpartallimi i një ushtrie Angleze në Bejetën e Urës së Stirling afër Kështjellës së Stirling në Skocinë qëndrore më 11 Shtator 1297. Ushtria Angleze, në të cilën ishin rreth 300 kalorës të rëndë, udhëhiqeshe nga John de Warenne, Konti i Surrey, dhe ishte shumë më e madhe në numër se ajo Skoceze. Skocezët udhëhiqeshin nga Wallace dhe Sir Andrew Moray i Bothwell (i njohur si Andrew Murray) i cili kishte udhëhequr dhe një kryengritje të veçantë në Skocinë veriore. Gjatë bisedimeve të zakonshme përpara përplasjes, në legjendë thuhet se William ju deklaroi me shumë guxim Anglezëve:

Hiq Reklamat
Advertisement

Kthehuni pas dhe njoftoni njerëzit tuaj se ne nuk kemi ardhur në këtë luftë për të bërë paqe, por jemi gati të luftojmë, për tu hakmarrë dhe për të çliruar mbretërinë tonë.

(Jones, 345).

Duke përdorur urën në avantazh të tij, e cila pengonte pjesërisht avancimin e ushtrisë armike, Wallace sulmoi avangardën e izoluar Angleze sapo ata kaluan në anën tjetër të lumit. Në terheqje e sipër, Anglezët u rifutën në ure e cila u shemb nga pesha e madhe e ushtarëve dhe pajimeve që ishin mbi të, duke bërë që shumë ushtarakë Anglezë, të rënduar dhe nga armatura dhe pajisjet e tyre, të mbyteshin në lumë. Në versione të tjera të betejës, thuhet se Skocezët e shkatërruan qëllimisht urën, ose që Anglezët e shembën vetë atë për të penguar që Skocezët ti ndiqnin më tutje. Por, pavarësisht këtyre detajeve, rezultati ishte i qartë: një fitore e plotë e Skocezëve. Mbi 100 kalorës Anglezë u vranë në betejë, duke përfshirë dhe Sir Hugh de Cressingham, përgjegjësin e thesarit të Edward-it në Skoci, trupi i të cilit ishte copëtuar mbi urën e Stirling. Legjenda thotë, se lëkura e Cressingham u përdor për të bërë çanta të vogla dhe rripa për të mbajtur shpatën nga fituesit e betejës.

Battle of Stirling Bridge
Beteja e Urës Stirling
Unknown Artist (Public Domain)

Më pas, Wallace udhëhoqi bastisje të tjera në Anglinë veriore, duke sulmuar Northumberland dhe Cumberland dhe duke rrethuar kështjellat e Alnwick dhe Carlisle. Ai ishte kaq i sigurt në kontrollin e mbretërisë së tij, saqë në vitin 1297, ai dhe Moray i shkruan letra tregëtarëve ne Lübeck dhe Hamburg që rifillimi i tregëtisë ndërkombëtare me Skocinë ishte mëse i sigurt. Në mars të vitit 1298, Wallace u nderua me titullin Kalorës, me shumë mundesi nga Robert the Bruce, Konti i Carrick dhe mbreti i ardhshëm i Skocisë. Për më tepër, Wallace u bë dhe 'Gardian' i qeverisë Skoceze dhe komandant i përgjithshëm i ushtrive të saj. Këto tituj, janë provë mëse e mjaftueshme që Wallace nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një njeri me lidhje shumë të mira me elitën e përcaktuar Skoceze.

Beteja e Falkirk

Në vitin 1298, Edward-i I-rë udhëhoqi personalisht një ushtri përtej kufirit me Skocinë. Wallace ishte tërhequr gradualisht drejt veriut, duke shmangur një përplasje direkte dhe duke përdorur taktiken e tokës së djegur, për të tërhequr Edward-in thellë në Skoci ku mungesa e furnizimeve do të kthehej në një problem serioz për të. Dy ushtritë u përplasën përfundimisht në Betejën e Falkirk më 22 Korrik 1298. Ushtria e madhe e Edward-it, kishte në përbërjen e saj harketarët e frikshëm me hark të madh, dhe shumë kalorës Anglezë, dhe këta i shpartalluan forcat Skoceze që ishin vendosur përpara Callendar Wood në formacionet e tyre të zakonshme prej 4 schiltrom (të ngjashëm me 'iriqin' por me heshta më të gjata). Edward-i sulmoi armikun nga të dy krahët, dhe kjo rezultoi në tërheqjen në panik të forcave të pakëta kalorëse Skoceze. Më pas, harkëtarët i thyen schiltrom-et me goditje të sakta dhe fatale. Rreth 2.000 Skocezë u vranë në betejë, po ashtu dhe 2.000 ushtarakë Anglezë. Shumica e parisë Skoceze i mbijetoi betejës. Wallace gjithashtu arriti ti shmangej Anglezëve, por humbja e kësaj beteje e detyroi të hiqte dorë nga titulli i tij si Gardian i Skocisë.

Hiq Reklamat
Advertisement

Këshilli Qeverisës

Ngjarjet e viteve që vijojnë, janë shumë pak të dokumentuara. Me një fron vakant, një këshill qeverisës ishte formuar me pjesëmarrjen e Wallace, John Comyn dhe Peshkopit Lamberton. Robert the Bruce nuk e mbështeti në fillim këtë këshill. Një nga arsyet ishte se Bruce-t ishin rivalë të Comyn-ëve, të cilët mbështesnin Balliol-ët. Nga ana tjetër, Bruce tani nuk mbështeste më as Edward-in, dhe duket sikur ai thjesht kalonte kohën për të parë si do te rridhnin gjërat në atë që njihet si Lufta e Parë e Pavarësisë. Pas Betejes së Falkirk dhe dorëheqjes së Wallace nga titulli i Gardianit, këshilli qeverisës drejtohej tashmë nga Bruce-t dhe Comyn-ët të cilët kishin lënë mënjanë problemet e tyre për momentin.

Bust of Robert the Bruce
Bust i Robert the Bruce
Otter (CC BY-SA)

Robert the Bruce, në shumë momente ishte plotësisht në anën e Skocezëve, si psh, në sulmin mbi Kështjellën Ayr, që ishte në atë kohë e kapur nga Anglezët. Sidoqoftë, martesa e Robert-it në vitin 1302 me Elizabeth-ën, vajzën e një prej aleatëve të Edward-it të I-rë, bashkë me lirimin e John Balliol-it nga Kulla e Londrës, do të thoshte që Robert-i edhe njëherë ishte në anën e Anglezëve, derisa aleatet Skocezë të Balliol-it të rivendosnin mbretin që duhej. Robert the Bruce kishte ambiciet e tij për fronin Skocez.

Edward-i kishte dërguar disa ushtri të tjera në Skoci në 1300, 1301 dhe 1303, ndërkohë duke marrë edhe Kështjellën Stirling, dhe kështu situata në Skoci dhe se cili do të ishte mbreti i ardhshëm, ishte akoma shumë komplekse. Pas disfatës në Falkirk, fisnikët Skocezë i shmangnin me shumë kujdes përballjet me ushtritë Angleze. Gjithsesi, Edward-i, mbreti Anglez luftarak, po arrinte drejt fundit të jetës së tij të gjatë dhe shumë aktive, dhe Skocia e kishte luksin e të priturit.

Wallace ndërkohë, u zhduk nga sytë e publikut, dhe ndonëse ishte shpallur në kërkim, ai gjithmonë i shmangej arrestimit, deri në vitin 1305. Sipas disa versioneve, ai e kalonte kohën si një luftëtar guerrils i bazuar në Malësinë Skoceze, ndersa sipas disa të tjerave ai ishte arratisur për në Francë me anijen e piratit Richard Longoville. Wallace mund të ketë kërkuar ndihmë ushtarake dhe financiare nga Francezët për të vazhduar luftën për pavarësi. Një version edhe më i pamundur, tregon se Wallace kishte arritur deri në Romë, ku kishte biseduar me Papën për asistencë në luftën e tij me Anglezët.

Kapja & Ekzekutimi

Wallace u kap si përfundim në Glasgow më 5 Gusht 1305, falë edhe prej disa të njohurve që e tradhëtuan, sipas disa burimeve mesjetare. Njeriu më i kërkuar u soll në Londër për tu gjykuar si tradhëtar ndaj Kurorës në Westminster Hall. Thuhet, që ai u detyrua që të mbante një kurorë prej gjethesh lisi për të treguar statusin e tij të ulet prej të jashtëligjshmi. Wallace u akuzua zyrtarisht për krijimin dhe mbajtjen e aleancës së Skocisë me armikun e Anglisë, Francën, për vrasjen e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm gjatë sulmeve të tij në Anglinë veriore dhe udhëheqjen e ushtrive kundër Kurorës Angleze.

William Wallace Statue, Aberdeen
Statujë e William Wallace, Aberdeen
Axis12002 (Public Domain)

Wallace i hodhi poshtë këto akuza ndaj tij, duke thënë se ai i detyrohej besnikëri vetëm mbretit të tij, te rrëzuarit nga froni John Balliol. Qartësisht i shpallur fajtor për tradhëti, më 23 Gusht, Wallace ju dha dënimi më i egër që mund të dilte nga një gjykatë Angleze: me varje, tërheqje dhe copëtim. Së pari, Wallace u zhvesh lakuriq dhe u tërhoq nga thembrat me një kalë nëpër rrugët e Londrës. Me të arritur në Smithfield, ai u var por u lirua në momentin që ishte duke vdekur. Më pas ai u vendos mbi një tavolinë, të brendshmet e tij u nxorrën nga trupi dhe më pas ju pre koka dhe trupi i tij u copëtua në 4 pjesë. Koka e Wallace u vendos për tu ë nga publiku në Urën e Londrës që të shërbente si paralajmërim, dhe 4 pjesët e tjera të trupit u dërguan për tu shfaqur publikisht në Aberdeen, Berwick, Newcastle dhe Stirling, në vendin e fitores së tij të madhe.

Ndërkohë, Robert the Bruce filloi të kishte dyshime serioze në lidhje me mbështetjen e tij ndaj Kurorës Angleze. Dukej pothuaj e pamundur që Edward-i ta shpallte Robert-in mbret të Skocisë. Gradualisht gjatë vitit në vijim - dhe me shumë mundësi në sekret të plotë - Robert-i filloi të grumbullonte aleatë nga baronët kyç Skocezë dhe më pas u vetëshpall mbret në Mars të vitit 1306 (do të mbretëronte deri në vitin 1329). Fatmirësisht për Robert-in dhe Skocezët, pasardhësi i Edward-it të I-rë, djali i tij Edward-i i II-të i Anglisë (m. 1307 - 1327), ishte i paaftë ushtarakisht. Pasi korri një fitore të madhe në Bannockburn në Qershor 1314, Robert-i i dëboi rregullisht pushtuesët Anglezë nga Skocia duke i rimarrë kështjellat një nga një.

Trashëgimia

William Wallace vdiq po nuk u harrua asnjëherë, dhe legjenda e tij u rrit për shkak të baladës romantike Jeta dhe Vepra e Sir William Wallace, Kalorës i Elderslie, shkruar nga Henry the Minstrel ose Blind Harry rreth 1470. Është pikërisht kjo baladë që ka shërbyer si frymëzim për filmin e vitit 1995, Braveheart. Një histori shumë e rëndësishme e jetës së Wallace, The History of William Wallace, u shkrua në shekullin e 16-të. Në vitet 1860, një monument i stilit Gotik u ngrit në Stirling për të përkujtuar arritjet e Wallace. Kulla 67 metra (220 ft) e lartë, e cila qëndron edhe sot, është e mahnitshme. Si përfundim, edhe dy statuja shumë cilësore të William Wallace dhe Robert the Bruce, të cilët vazhdojnë të jenë heronjtë më të mëdhenj të historisë së Skocisë, gjenden në të dy anët e hyrjes kryesore të Kështjellës së Edinburgh-ut akoma edhe sot zemra e mbretërisë që ata luftuan me shumë vështirësi për ta mbajtur të lirë nga pushtimi i huaj.

Hiq Reklamat
Reklama

Rreth përkthyesit

Erion Treska
Erion është një person i entuziazmuar pas historisë dhe qytetërimeve të lashta. Është i diplomuar në Master për Informatike Biznesi. Preferon leximin dhe eksplorimin. Jeta dhe zhvillimet e ndryshme në Europën Antike, janë një ndër fushat e tij të preferuara.

Rreth Autorit

Mark Cartwright
Mark është një autor me kohë të plotë, studiues, historian dhe redaktor. Fushat e tij të preferuara janë arti, arkitektura dhe zbulimi i ideve të përbashkëta të të gjithë qytetërimeve. Ai mbron titullin Master në Filozofi Politike dhe është Përgjegjësi i Publikimeve në WHE.

Citoni këtë punë

Stili APA

Cartwright, M. (2021, April 19). William Wallace [William Wallace]. (E. Treska, Përkthyes). World History Encyclopedia. Marrë nga https://www.worldhistory.org/trans/sq/1-16984/william-wallace/

Stili i Çikagos

Cartwright, Mark. "William Wallace." Përkthyer nga Erion Treska. World History Encyclopedia. Modifikuar për herë të fundit April 19, 2021. https://www.worldhistory.org/trans/sq/1-16984/william-wallace/.

Stili MLA

Cartwright, Mark. "William Wallace." Përkthyer nga Erion Treska. World History Encyclopedia. World History Encyclopedia, 19 Apr 2021. Uebit. 24 Apr 2024.